Podujeva shtrihet në pjesën veri-lindore të Kosovës, në fushëgropën e Llapit,nga pjesët kodrinore-malore të malit të Albanikut në perëndim dhe maleve lindore kosovare, në lindje. Dikur qytezë e vjetër e Krahinës së Llapit, ajo sot është shndërruar në një qytet të bukur e qendër me rëndësi ekonomike, arsimore, tregtare, turistike, politike, kulturore, sportive, joshëse për llapjanët, kosovarët e të huajt (turistët). Komuna e Podujevës përbëhet nga 78 fshatra, duke përfshirë edhe qytetin e Podujevës. Ka një pozitë strategjike dhe ka lidhje të rëndësishme transporti: autostradën dhe hekurudhën rajonale.
Aeroporti është vetëm 40 km larg nga komuna, ndërsa në qytet gjendet edhe liqeni më i madh në Kosovë, Liqeni i Batllavës. Komuna e Podujevës ka sipërfaqe prej 633 km2 me mbi 120 mijë banorë.