Xhamia e Madhe e Prishtinës u ndërtua në vitet 1460-1461 nga Sulltan Mehmeti II al-Fatih-u – Pushtuesi, tetë vite pas rënies së Konstantinopolit. Ajo gjendet në qendër të qytetit dhe është xhamia më e madhe në Prishtinë. Bazuar në monumentin, konstruksionin, mënyrën e ndërtimit dhe elementet dekorative radhitet ndër objektet më të rëndësishme të arkitekturës islame në Evropën Juglindore.
Në oborrin e kësaj xhamie gjendet edhe një shatërvan i ndërtuar në vitin 1996. Xhamia është ndërtuar me gurë të gdhendur ranorë të ngjyrës së verdhë. Kupola e saj ka qenë dikur më e madhja në regjion, ndërsa sot ajo është e vetmja xhami e ndërtuar nga Sulltan Mehmeti II që ende mbijeton në këto vise. Gjatë viteve 1682-83, nën sundimin e Sulltan Mehmetit IV, xhamia është restauruar, ndërsa minarja e saj është riparuar përsëri pas tërmetit të vitit 1955. Bazuar në vlerat historike, shoqërore dhe artistike kjo xhami në vitin 2016 është shpallur në mbrojtje të përhershme nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.