Fshati Kusar mendohet se është ndër vendbanimet më të hershme të zonës së Gjakovës.

Në brendësi të këtij fshati, i cili karakterizohet me një pamje të bukur pyjore, gjendet Shpella e Kusarit, konkretisht në një terren gjarpëror në Malet e Pashtrikut.

Lashtësia e saj mendohet se është shumë e hershme. Momentalisht ajo ka tri hyrje, por me rregullimin e infrastrukturës për të arritur deri te vendi në fjalë, nga ana e Komunës së Gjakovës, e cila ka bërë edhe rregullimin e shtigjeve që të dërgojnë deri te shpella, mendohet se pas këtij veprimi mund të shtohen vizitorët dhe mund të bëhen kërkime edhe nga spelologët për të parë nëse brendësia e saj është më e madhe apo jo.

Kjo shpellë, ka një oborr të veçantë shkëmbor e të shkallëzuar, që mundëson ecjen e vizitorëve që duan të hulumtojnë brendësitë e kësaj shpelle. Teksa eksploron e ecën shkallëve të bukura përmes saj, të krijohet një ndjesi e veçantë dhe e papërshkrueshme që të kthen në histori.