Kalaja e Prizrenit përmban në vete një pjesë të rëndësishme të historisë së lashtë të qytetit. Pozicioni i saj topografik, dominues mbi qytetin, peizazhi natyror mjaft tërheqës dhe konfigurimi arkitektonik i menduar mjaft mirë, e bëjnë këtë lokalitet me vlera të padiskutueshme ambientale, shkencore, historike dhe turistike. Është e vendosur në pjesën lindore të qytetit mbi një kodër në formë konike. Muret fortifikuese ndjekin izohipsat e terrenit në trajtë përafërsisht vezake me zgjatje në drejtimin veri-jug. Burimet e shkruara flasin shumë pak për Kalanë e Prizrenit. Shënimi më i vjetër që dihet është ai i kronistit Bizantin Prokopi i Cezares në veprën “De aedificiis” (Mbi ndërtimet).
Në aspektin ndërtimor ndahet në tri komplekse të veçanta të quajtura: Qyteti i Epërm, Qyteti i Poshtëm dhe Qyteti Jugor; ndërsa në aspektin e fortifikimit ndër shekuj, ajo i përket periudhave të ndryshme: Periudha antike, Periudha e sundimit Bizantin, Periudha e zotërimit Nemanjid dhe Periudha e sundimit të Perandorisë Osmane. Kalaja e Prizrenit me pozitën e saj dominuese në qytet paraqet njërin prej monumenteve më të rëndësishme që tërheq vizitorë të shumtë. Krahas vlerave të larta historike, arkitektonike, shkencore, ky lokalitet ka edhe vlerë të madhe ekonomike për zhvillim të turizmit kulturor