Hardh Fest është padyshim njëri nga festivalet që sjell turistë të shumtë në Kosovë Festa e vjeljes së rrushit “ Hardh Fest ” ka fillet e saja që nga vitin 2001, ku në fillim është organizuar nga shoqatat lokale, duke u avancuar dhe marr epitetin e Festës në nivel nacional, e vënë nën patronimin e Presidencës së Republikës së Kosovës për një kohë, si dhe çdo vit e mbështetur nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dhe Komuna e Rahovecit, si festë e veçantë tradicionale, ku shënohet fillimi i vjeljes dhe mbledhjes së bereqeteve, si kurorëzim i punës së vreshtarëve të vyeshëm.
“Festa e Vjeljes së Rrushit” i ofron qytetit të Rahovecit dhe rajonit vreshtar të Kosovës, program argëtues mbarëkombëtar dhe rajonal, u mundëson fermerëve, vreshtarëve, prodhuesve të verës, artistëve, rinisë dhe popullatës së kësaj ane, mundësinë që të jenë aktiv në jetën shoqërore dhe kulturore.
Hardh Fest sjell një nga eksperiencat më të bukura jetësore për të gjithë ata që e vizitojnë festivalin, duke nisur nga mikëpritja Rahoveciane deri te Hardh Campi që ka një pamje të bukur të vreshtave të Rahovecit, e më pas ka aktivitete të cilat kanë për qëllim promovimin e prodhimeve të rrushit por edhe mjedisit, kulturës dhe artit, një ngërthim ky që tashmë është shndërruar në storie suksesi.