Ura e Gurit gjendet në qendrën e qytetit të vjetër të Prizrenit. Ura lidh drejtpërsëdrejti sheshin Shatërvan (në anën e majtë të lumit) dhe Saraçhanën (në të djathtë të lumit). Burimet historike nuk ofrojnë të dhëna për kohën e saktë të ndërtimit të saj. Në bazë të materialit, stilit, teknikës së ndërtimit, supozohet se ura është ndërtuar nga fundi i shekullit XV, ose në fillim të shekullit XVI. Ura e vjetër është e ndërtuar me gurë cilësorë të përpunuar dhe të lidhur ndërmjet vete me llaç gëlqeror. Në rrjedhat e historisë, ura ka përjetuar disa ndryshime të mëdha.

Ajo pësoi dëme serioze strukturale gjatë ndërtimit të shtratit të Lumbardhit, në vitet '60. Urës rreziku më i madh i erdhi nga faktorët natyrorë. Vërshimi i lumit më 17/18 nëntor të vitit 1979 shkaktoi rrënimin e urës në tërësi. Prizrenasit të mallëngjyer për shkatërrimin e urës u mobilizuan dhe sipas projektit të hartuar nga M. Gojkoviq, ing., më 5 qershor 1982 fillojnë punimet për rindërtimin e saj. Punët restauruese i kreu Ndërmarrja e Elanit, nën mbikëqyrjen e Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore të Prizrenit. Ura e rindërtuar solemnisht u përurua më 17 nëntor 1982. Kështu ura natyrshëm vjen në mjedisin e vet dhe vazhdon ta kryejë funksionin e urës për këmbësorë. Duke marrë në konsideratë vlerat e mirëfillta të trashëgimisë, Ura e Gurit me vendimin nr. 2345 të datës 31 dhjetor 1948 vihet nën mbrojtje të shtetit.