Muzeu Etnografik i Gjakovës gjendet në një shtëpi tradicionale, ndërtuar në 1830. Ai përfaqëson një vendbanim tipik urban. Ndërtesa fillimisht i përkiste familjes Gjakovare Sina, dhe më vonë u ble nga familja Haxhismaili. Në vitin 1981 ajo u mor nga kjo familje në pronësi të Kuvendit Komunal për ta shndërruar atë në Muze Etnografik.
Ndërtesa ka dy kate dhe dy garnitura dhe ka një koleksion të pasur, duke shfaqur historinë dhe kulturën lokale. Për vlera të larta dekorative dallohen sidomos dhoma e madhe që gjendet në krahun e majtë të ndërtesës dhe qymlekët me furrat e tyre të cilat gjenden të vendosura në të katër dhomat. Korridori i ndan dhomat nga njëra-tjetra dhe në planimetri paraqitet në formë kryqi. Shtëpia me kohë ka pësuar ndryshime. Pjesa e përparme ka pasur dy dhoma të miqve dhe stallën me pleme ku është deponuar ushqimi i kafshëve. Po ashtu shtëpia ka pasur shtëpinë e zjarrit në përdhese, ndërsa në kat mbi shtëpinë e zjarrit kanë qenë edhe dy kthina ndihmëse që kanë qenë të vendosura prapa shtëpisë por që sot nuk ekzistojnë. Muzeu i Gjakovës është njëri prej muzeve më të pasur në Kosovë dhe në Ballkan sa i përket eksponateve.