Ura e Fshajtë ndodhet në fshatin Fshajt të Përdrinisë, komuna e Gjakovës dhe në rrugën Gjakovë – Prizren, në fundin e kanionit të lumit Drini i Bardhë. Ura është monument i trashëgimisë kulturore, kurse territori përreth Urës dhe kanionit është shpallur zonë e mbrojtur natyrore e karakterit hidro-gjeomorfologjik në sipërfaqe prej 199 hektarësh. Zona e mbrojtur ndodhet në komunat Gjakovë (rreth 74 ha) dhe Rahovec (125 ha).
Ekzistimi i Urës së Fshajtë lidhet me legjendën e flijimit apo murimit të gruas në themelet e kështjellës, të urës etj., Legjenda e Urës së Fshajt është motërzim i legjendës për Kështjellën e Rozafës në Shkodër. Ura njihet edhe me emra tjerë, si “Ura e Shejtë”, “Ura e Shejtit”, “Ura e Rozafës”.
Ura dhe fshati quhet “e fshajtë” apo ”e fshejtë” sipas ofshamjeve të gruas gjatë murimit. Gjithashtu, balada për “Urën e Fshajtë” paraqitet në disa variante e emërtime, si dhe në shumë motërzime tjera te shqiptarët, por edhe te popujt tjerë të Ilirikut.
Kërcimet tradicionale spektakulare nga Ura e Fshajtë në Lumin Drini i Bardhë, në 22 metra lartësi, janë ngjarja më interesante e këtij sporti avanturist te ne, e që përcillet e shikohet nga mijëra njerëz.
Tradita e kërcimit, dikur vetëm nga djemtë, sot edhe nga vajzat, tashmë është shndërruar në garë kampionale të përvitshëm, që përkrahet edhe institucionalisht.
Ura e Fshajtë në Drinin e Bardhë i jep pamje të bukur tërë vendit. Zona e Urës, kanioni dhe fusha e gjerë nën urë paraqesin një vend piktoresk për vizitorë, për kalimtarë e për pushues, për plazh lumor dhe për sportistë të notit.
Ura e Fshajtë, kanioni i lumit Drin dhe zona e mbrojtur tashmë është një pushimore e njohur verore, një pikë turistike dhe një arenë sportive e notit. Aty janë ngritur shtëpiza pushimi, restorante dhe gjatë fundjavëve, ngriten çadrat e shumta të pushuesve.