Pogradeci është një atraksion i përhershëm turistik ku me hijeshinë e liqenit, natyrën, kulturën, historinë, tërheq turistë të shumtë vendas e të huaj në çdo stinë të vitit.
Në qendër të qytetit tashmë ndodhet edhe Odeoni, investimi i fundit i Bashkisë së Pogradecit që i kthen shkëlqimin qytetit.
Odeoni ndodhet në qytetin e Pogradecit dhe përfaqëson një hapësirë publike shumë-funksionale në përfundim të shëtitores ‘Europa’ pranë Liqenit të Pogradecit.
Me një kapacitet përdorimi me 600 vende uljeje dhe rreth 2000 persona në total, odeoni është konceptuar në sajë të disa elementeve të ndryshme arkitektonike dhe peizazhistike, si: shkallaret, format kuboide të fragmentuara, orientime të shumëfishta që ofrojnë larmi të panoramave të qytetit, integrimi i bimësisë dhe elementeve të tjera natyrore me karakter vendas.
Amfiteatri është dizenjuar për të ofruar hapësira për tu ulur, për të pushuar, si edhe hapësira rekreative e argëtimi për fëmijë dhe të rritur.
Në afërsi të amfiteatrit ndodhet edhe shtatorja e poetit të mirënjohur shqiptar, Lasgush Pogradeci.