Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor është tempulli i artit skenik, muzikor dhe baletit, i vetmi institucion kombëtar i këtij lloji i cili gjendet në Tiranë, Shqipëri. TKOBAP është themeluar në nëntor të vitit 1953 dhe ka si mision ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave më të mira të teatrit muzikor dhe koreografik, folklorit shqiptar dhe botëror, krijimtarinë e re skenike, ngritjen teknike dhe profesionale, larminë e stileve dhe individualiteteve interpretuese dhe krijuese, edukimin e brezave me veprat më të mira të teatrit muzikor, koreografik dhe folklorik. Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka në përbërje të tij rreth 250 artistë stabël, të cilët janë pjesë e orkestrës, korit, trupës së baletit, solistëve lirikë dhe Ansamblit Popullor. Në vitin 2017 TKOBAP u anëtarësua me të drejta të plota në Opera Europa, organi më i lartë i operas europiane.