Sheshi “Skënderbej” është sheshi kryesor i cili gjendet në qendër të Tiranës, Shqipëri. Sheshi mban emrin e heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Sheshi rrethohet nga Pallati i Kulturës, Hotel Tirana, Muzeu Kombëtar dhe Banka e Shqipërisë.
Historia e sheshit ka filluar në vitin 1917, rreth 100 vite më parë, kur u ndërtua parlamenti i parë në Tiranë, godina ku ndodhet aktualisht Teatri i Kukllave. Më pas në kohën e Mbretit Zog, në këtë zonë u ndërtuan ministritë e para me arkitekturën e stilit Italian.
Monumenti i Skënderbeut i cili dominon sheshin është vendosur në vitin 1968 gjatë periudhës së regjimit diktatorial. Pas vendosjes së monumentit, sheshi u restaurua dhe në mes u vendos një shatërvan.
Në kohën e regjimit diktatorial u ndërtuan gjithashtu: Teatri i Operas dhe Baletit, Muzeu Kombëtar dhe Hotel Tirana International, të cilat mund të quhen pjesë e çmuar e historisë shqiptare.