Shpella e Radavcit (Bukuroshja e Fjetur) gjendet afër fshatit Radavc, ne pjesën verilindore të vargmaleve të Alpeve Shqiptare (Bjeshkëve të Nemuna) dhe është shpellë tipike e burimeve.
Formimi i saj është i lidhur me erozionin dhe punën kimike të ujërave nëntokësore të Drinit të Bardhë. Kjo shpellë përbëhet prej katër elementeve morfologjike: galeritë kryesore, galeritë e majta, galeritë e poshtme dhe kanalet vertikale. Gjatësia e përgjithshme e të gjitha kanaleve të shpellës së Radavcit është 1420m, ndërsa kanalet horizontale janë të gjata 680m.
Galeria kryesore përbehet prej tri pjesëve: kanalit hyrës, galerisë qendrore dhe kanalit të vaskave. Salla qendrore fillon rreth 55m dhe paraqet një udhëkryq të rregullt. Nga këtu nisen tetë korridore dhe kanale të cilat në nivele të ndryshme lidhen me galerinë fqinje. Fundi i sallës shtrihet 14m mbi lartësinë e hyrje së shpellës.
Në pjesën qendrore të sallës gjendet një shtyllë kristalore e lartë 12m. Karakteristikë për këtë shpellë është kanali me vaska i cili gjendet në vazhdimin e galerisë qendrore. Gjatësia e saj është 76m, gjerësia prej 4–8m dhe lartësia në mes 3-5m.