Në ditën e enjte, 5 Mars, 1998 herët në mëngjes forca të shumta policore dhe ushtarake serbe me mjete të blinduara, sulmuan shtëpitë e Jasharajve në Prekaz.
Komandanti Legjendar Adem Jashari dhe e gjithë familja e tij, luftuan përgjatë 3 ditëve, 5, 6 dhe 7 Marsit, për të rënë heroikisht në altarin e lirisë.
Nga luftimet të ashpra që u zhvilluan tri ditë radhazi me forcat policore dhe ushtarake serbe, së bashku me komandantin e UÇK-së Adem Jashari, nga familja e tij u vranë 20 anëtarë në mesin e tyre 10 fëmijë.
Ngjarjet e 5,6 dhe 7 Marsit shënojnë kthesën e madhe historike për mbylljen e një kapitulli të vjetër për Kosovën dhe fillimin e një epoke të re, ndërgjegjësimin e komunitetit ndërkombëtar dhe bashkimin e shqiptarëve për t’i dhënë fund regjimit serb.
Kjo betejë që pas luftës u quajt Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u bë simbol i luftës për liri i gjithë popullit të Kosovës dhe simbol i pavdekshmërisë së heroit kombëtar dhe familjes së tij. Lufta dhe qëndresa titanike në Prekaz kishte dhënë kushtrimin në të gjitha trojet shqiptare për të rrokur armët kundër pushtuesit.
Çdo vit më 5,6 dhe 7 mars mbahet Epopeja e UÇK-së ku qytetarë nga të gjitha trojet etnike shqiptare mësyjnë Prekazin për t’a nderuar veprën heroike të komandantit legjendar dhe familjes së tij. Këto tri ditë përshkohen me aktivitete të shumta, jo vetëm në Prekaz, por edhe në vende tjera të Kosovës ku ka zhvilluar beteja UÇK-ja.
Epopeja e UÇK-së përmbyllet më 7 mars, në natën që quhet Nata e Zjarreve, ku ndizen flakadanë tek varrezat dhe ndizet zjarri i madh që simbolizon ndezjen e pushkës së komandantit legjendar Adem Jashari, vëllait të tij Hamzës, dhe familjarëve të rënë në vitin 1998 në Prekaz.
Në Prekaz, përveç varrezave të Jasharajve, janë edhe kullat nga të cilat u zhvillua lufta heroike në vitin 1998. Në kuadër të Kompleksit Memorial gjendet edhe Muzeu në të cilin janë ekspozuar fotografi të të rënëve dhe eksponate të familjes Jashari. Që nga paslufta këtë vend historik e kanë vizituar mbi 20 milionë vizitorë.