Parku arkeologjik “Ulpiana” i cili dikur ka qenë qytet me emrin Ulpiana, sipas arkeologëve ka qenë i banuar qysh në periudhat e hershme antike të njohur si Epoka e Gurit, e deri në periudhën e sundimit romak. Parku përfshin qytetin e lashtë të fortifikuar të Ulpianës prej rreth 120 hektarë, ku përbëhet nga tre sektorë:
Sektori i parë përfshin Portën Veriore, e cila ishte hyrja kryesore për në qytet, pjesë të ruajtura të rrugës, kanali për shkarkimin e ujërave, banjo publike romake, tempulli pagan dhe një bazilikë paleokristiane të fortifikuar.
Sektori i dytë i Parkut përfshin ‘Nekropolin Verior’ i cili ishte jashtë mureve fortifikuese të qytetit antik, në të cilin gjendeshin varrezat kryesore, që i përkasin kohës së sundimit romak dhe antikitetit të vonë.
Ndërsa në sektorin e tretë të Parkut gjendet rruga kryesore që e lidh portën lindore me atë perëndimore. Në këtë sektor ishte i ndërtuar një kompleks i veçantë banimi me përmasa të mëdha që ngjason me vilë luksoze brenda qytetit antik dhe mendohet se ka qenë selia e kryepeshkopit të Ulpianës.
Ky park është pjesë përbërëse e trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe është nën administrimin e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.