Teatri Kombëtar i Kosovës (në fillim me emrin Teatri Popullor Rajonal e pastaj Teatri Popullor Krahinor) u themelua me Vendim të Kuvendit të KASK /Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës/ në tetor të vitit 1946 në Prizren. Ky ishte institucioni i parë teatror profesionist në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore. Disa muaj pas themelimit, Teatri u transferua në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.
Në vitin 1999, pas mbarimit të luftës në Kosovë, ky teatër pagëzohet me emrin “Teatri Kombëtar i Kosovës”. Gjatë 15 viteve të pasluftës, në këtë teatër janë vënë në skenë tekste të shumta të dramaturgjisë kombëtare dhe botërore. Teatri Kombëtar i Kosovës është institucioni suprem i kësaj lëmie. Financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.