Kalaja-fortesa e Harilaçit (shek. IV-VI) gjendet mbi një kodër të njohur si Gradina e Harilaçit, e ngritur në një pozitë dominuese në perëndim të fshatit Harilaç. Kalaja ndodhet rreth 9km në juglindje të Fushë Kosovës dhe vetëm 2km në perëndim të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Kalaja veçohet nga kalatë e tjera si për nga ndërtimi i murit rrethues po ashtu edhe nga struktura e brendshme arkitektonike. Kalaja kap një sipërfaqe të rrethpërshkuar me mure mbrojtëse prej rreth 1.3ha. Gërmimet arkeologjike në këtë kala kanë filluar në vitin 2005 dhe kanë vazhduar sistematikisht deri në vitin 2010, dhe janë kryer edhe disa konservime dhe konsolidime të mureve me qëllim të mbrojtjes dhe ruajtjes së saj.
Gjatë gërmimeve arkeologjike, kanë dalë në pah gjurmë të shumta të rrënojave të objekteve sakrale, profane dhe utilitare si: faqja e jashtme e murit rrethues të kalasë me kullat në akse, kisha me tri nefe dhe sakristi si dhe dy struktura pothuajse identike në formë unazore të një kompleksi sakral. Gjithashtu material i bollshëm i lëvizshëm arkeologjik si vegla pune, stoli, monedha, tulla, fragmente qelqi dhe struktura arkitektonike që posaçërisht theksojnë periudhën e Antikitetit të vonë, e në veçanti atë të kohës së Justinianit.
Në Kalanë e Harilaçit ka indikacione edhe të periudhave parahistorike, e në veçanti të kohës së metaleve, antikës e mesjetës, si dëshmi e vazhdimësisë së jetës në kala.