Prizreni zë një vend të veçantë në historin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, u bë kryeqendër e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që u themelua me 10 qershor 1878. Në Prizren pati selinë e vet edhe Qeveria e përkohshme Shqiptare (1881) e kryesuar nga banori i njohur i këtij qyteti, Ymer Prizreni.

Nga e kaluara e bujshme historike, qyteti i Prizrenit ka trashëguar një numër të madh objektesh kulturo -historike. Më të rëndësishme janë : Kompleksi i Shatërvanit, Nënkalaja, Marashi, Kalaja, Kisha e Shën Premtës, Kisha e Shën Shpëtimit, Xhamia e Bajraklisë, Xhamia e Safi Sinan Pashës, Hamamet e qytetit, krojet e qytetit, Ura e Gurit dhe një numër i madh i shtëpive folklorike të qytetarëve të trashëguar ndër shekuj.