Peja njihet si një ndër qytetet më të vjetra në Kosovë dhe përbën një ndër qytetet më të bukura dhe më të pasura me potenciale kulturo-historike dhe bukuri të rralla natyrore. Komuna e Pejës përfshin një siperfaqe prej 603km2 ndërsa vetëm qyteti i Pejës ka një sipërfaqe prej rreth 20km2. Qyteti i Pejës shtrihet në luginën e Lumbardhit rrethuar me Alpet Shqiptare dhe ka një popullsi afër 100.000 banorë.

Duke u bazuar në terenin në të cilin shtrihet, Peja disponon resurse të mëdha tërheqëse turistike të cilat i kënaqin adhuruesit e natyrës së egër të paprekur por edhe adhuruesit e bukurive idilike fshatare si dhe hulumtuesit e interesuar për gjurmë të së kaluarës.

Karakteristikë e saj është Çarshi-Xhamia e ndërtuar rreth viteve 1600 - 1700 si dhe Kulla e Haxhi Zekës.